Shkruan: Ardit Azizi
Datë: 27 prill 2026
Kuvendi i Kosovës para disa ditësh miratoi rezolutën e radhës për Luginën. Në pikat e kësaj rezolute të vitit 2026, përfshihen përsëri reciprociteti, angazhimi diplomatik ndërkombëtar, adresimi i pasivizimit të adresave dhe mbështetja ekonomike, arsimore e kulturore. Krejt ky dokument nuk po duket asgjë më shumë se një déjà vu politike; nëse kthehemi në retrospektivë, pothuajse të njëjtat pika kanë kaluar në rezolutat e viteve 2013 dhe 2018. Pyetja që na mundon të gjithëve është: Çfarë ka ndryshuar në jetën e qytetarëve të Luginës nga atëherë deri më sot, përveç numrit në rritje të njerëzve që e braktisin vendin?
Kjo rezoluta e fundit flet për reciprocitet e dokumente, por ne na kujtohet Draft-Rezoluta 13 pikëshe e vitit 2018, ku premtohej mundësimi i dokumenteve të Kosovës, zyrë brenda Kryeministrisë dhe fond i përhershëm. Ku mbetën ato? Po ashtu, në vitin 2019 u fol për respektimin e referendumit të vitit 1992 dhe bashkimin me Kosovën - një mundësi e madhe që humbi në vitin 2020 dhe që mund të mos vijë më kurrë. Sot, në vend që të trajtohemi si vëllezër, ne na duhet të kalojmë procedura poshtëruese për pasaporta; kërkojmë lehtësime që të mos trajtohemi në Prishtinë baraz me qytetarët e Bangladeshit, sepse Lugina është pjesë e pandashme e Kosovës.
Prandaj, ne sot kërkojmë rezultate konkrete. Dashuria dhe respekti ndaj Luginës nuk matet me lajka populiste në facebook, por me veprime që na afrojnë në gjirin e Republikës së Kosovës, ashtu siç e do zakoni për vëllezërit shqiptarë. Kërkesa jonë kryesore mbetet pajisja me shtetësi të Kosovës, ose lehtësimi i dukshëm i procedurave zyrtarisht nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ ose Akti nënligjor që i jep fund këtij izolimi absurd brenda llojit tonë.
Mbështetja ekonomike që Kosova i bën Luginës me donacione milionëshe, ku flitet për projekte zhvillimore e mbështetje institucionale, nuk po shihet askund në terren. Përpos në rrjete sociale e webfaqe, ku shpallen thirrjet për aplikim, asnjë projekt nuk ka realizim të prekshëm për qytetarin e thjeshtë. Krejt këto miliona që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës, duket se kanë qarkulluar vetëm nëpër konto të partive politike e militantëve të tyre, ndërsa në fund ankohemi që "Beogradi po na bllokon". Nëse vërtet po na bllokon, atëherë na e dëshmoni këtë me dokumente! Na tregoni ku janë mjetet e bllokuara dhe ku po na ndalohet investimi, që të kemi një bazë reale për të avokuar te faktori ndërkombëtar, e jo të mjaftohemi me arsyetime që mbulojnë dështimet tona.
Gjatë këtyre viteve kemi parë dhjetëra e dhjetëra vizita me ambasadorë e organizata ndërkombëtare, por rezultati në fund na del baraz me zero. Krejt këto vizita janë në kurriz të qytetarëve dhe nuk janë gjë tjetër përpos një turizëm diplomatik që ushqehet me mjerimin tonë. Largimi masiv i qytetarëve është paralajmëruar para shumë viteve, por politikanët tanë kanë qenë të zënë me detyra të tjera e nuk kanë ndërmarrë asnjë hap konkret, duke i shërbyer indirekt politikave të Beogradit. Qytetarët po detyrohen të vetëlargohen, ndërsa Beogradi po i përdor politikanët tanë si "mashë" që mos t'i djegë duart vetë.
Përgjithësisht, përderisa politikanët tanë i lënë anash inatet personale e klanore dhe nuk dalin me një platformë të përbashkët i gjithë spektri politik, kjo rezolutë e vitit 2026 do të mbetet vetëm një letër e radhës. Na duhet një qëndrim unik, një dokument i vulosur nga të gjitha partitë e Luginës ku vendoset që politikat tona janë këto dhe nuk lëvizim vendit derisa të na plotësohen kërkesat. Pa këtë unitet dhe pa këtë platformë, kemi me mbetur duke u fotografuar nëpër korridore të ambasadave e qeverive, duke i mbajtur ato fotografi si dekor nëpër zyra, ndërkohë që Lugina zbrazet çdo ditë e më shumë. Rezoluta duhet të jetë mjet veprimi, jo mjet arsyetimi.